Press "Enter" to skip to content

Ditët e itikafit

Shkrimtari i madh, Feriduddin Attari ka thënë: “Kush nis rrugën e rijazetit[1] në mënyrë të virtytshme, çdo gjë që bën, e bën për hir të Allahut. Një njeri që pretendon se do miqësinë dhe dashurinë e Allahut dhe nuk hyn në rijazet, do të thotë se nuk është i sinqertë në davanë e dashurisë ndaj Tij.”

10-ditëshi i fundit i Ramazanit është pikërisht koha e itikafit[2], që është një formë shmangieje nga bota. Veçanërisht, namazi i Tehexhudit që falet gjatë netëve të dhjetë ditëve të fundit, nuk është thjesht vetëm fundi i Ramazanit, por është një simbol i përkushtimit dhe dorëzimit të plotë ndaj Allahut. Besimtarëve që agjërojnë, 10 ditët e fundit, pra itikafin, u ofrohet mundësia që të plotësojnë agjërimin. Është perdja finale e muajit të bekuar, pra, njeriu plotëson pastrimin e brendshëm, faljen, leximin e Kuranit dhe ngritjen në pikën më të lartë të lutjes që i bëhet Allahut, i Cili është Zoti i gjithësisë. Veçanërisht, duhet theksuar se është transmetuar që Kurani Famëlartë është shpallur pikërisht në 10-ditëshin e fundit të Ramazanit. Nata e Kadrit, në të cilën është shpallur Kurani, është më e mirë se 1000 muaj. Kështu, thesari i itikafit dhe bashkimi i namazit madhështor të Tehexhudit me Natën e Kadrit, është një ngjarje e jashtëzakonshme e ngritjes estetike dhe shpirtërore.

Përpjekjet e vazhdueshme dhe të vetëdijshme, që harxhohen për të agjëruar, bartin nga brenda thelbin e rijazetit. Thënë ndryshe, thesari i halvetit[3] ka në vetvete bërthamën e agjërimit. Ashtu sikurse në agjërim, po ashtu edhe në halvet, qëllimi është i njëjtë. Halvet do të thotë zgjim shpirtëror. Përmes halvetit, njeriu arrin në zenitin e takvasë. Halveti është ripërtëritje e nefsit të njeriut. Halveti vë në lëvizje vazhdimisht mekanizmin e vetëkontrollit. Halveti bën që të pastrohesh dhe të dëliresh nga pritjet e përgëzimeve të njerëzve, nga ambicia për të bërë karrierë, për të pasur post e pasuri dhe nga sukseset e kësaj bote. Duke shkëputur lidhjet nga e gjithë bota e jashtme, njeriu mban agjërim ndaj familjes, punës, shtëpisë dhe jetës sociale. Bukuria e halvetit në vlerën e një thesari, është se njeriu në saje të halvetit, në varësi të asaj sa është shkëputur nga dynjaja, është e fshehur në zhytjen që bëhet në botën e brendshme. Sa më e madhe që është largësia nga kjo botë e jashtme dhe materiale, aq më shumë i afrohemi botëve të brendshme dhe shpirtërore. Njeriu dallon të shëmtuarën nga e bukura e tij. Nga veprat e mira, tërheq prapa veprat djallëzore. Nga të drejtat, zmbraps të metat dhe gabimet. Thënë ndryshe, njeriu flak tutje nga zemra vetitë epshore, si ambicia, urrjetja, mendjemadhësia, koprracia, nervozizmi dhe dyfytyrësia.

Halvet nuk do të thotë vetëm një menditim, edukim i nefsit, pastrim fizik dhe shpirtëror dhe arritje e prehjes mendore dhe shpirtërore. Urtësia e braktisjes së dynjasë është tek zhytja në oqeanin e Mëshirës së Allahut, pra synimi dhe esenca e rijazetit dhe halvetit është të qenit bashkë me Zotin, i Cili është i Dashuri i njeriut.

Zoti i Madhëruar i ka thënë Musait (a.s.): “Ata që duan të më afrohen Mua, nuk do të gjejnë rrugë më të mirë sesa halveti.”

Hazreti Rumiu ka thënë: “Ai që është i mençur dhe i logjikshëm, zgjedh të qendrojë pranë grykës së pusit, sepse shpirti e gjen ngazëllimin dhe harenë duke qëndruar vetëm me Allahun. Errësirës së pusit i jepet më përparësi se errësirës që u bë shkak për njeriun. Një njeri që i ngjitet për këmbe një tjetri, kurrë nuk bëhet një me tjetrin. Njeriu duhet ta izolojë veten nga të tjerët, por jo nga Allahu. Gëzofi vishet në dimër, jo në në verë.”

Një mik i Allahut është shprehur në këtë mënyrë: “Vallë, sa kohë itikafi nxirren nga orët që kalohen gjatë tërë vitit duke folur dhe duke pirë kafe?” Sa mendim fantastik!

Vallë, në këtë muaj të begatë të Ramazanit, a mund t’i bëjmë vetes sonë një pyetje të kësaj natyre, për hir të Zotit të botëve dhe të atij që është dërguar si mëshirë për botët?

Me siguri, nuk do ta gjenim në këtë planet një njeri që të mos ketë lodhur trurin shumë apo pak lidhur me sa para do të fitojë brenda një viti.

Vallë, në këto ditët e fundit të Ramazanit që po vijnë, sa njerëz mund të gjejmë që të kenë bërë llogarinë e 11 muajve, që nga Ramazani i kaluar deri më sot? Sa njerëz kanë parë llogarinë e punëve të veta dhe pyesin veten se sa prej veprave të tyre janë për hir të Zotit?

Gjithkush dëshiron të bëhet i pasur. Pse nuk dëshirojmë pasuri të karakterit fisnik, pasuri të mendjes së ndritur, pasuri të sjelljeve të përsosura?

Gjithnjë jemi të zënë me pasukseset, rëniet dhe humbjet tona materiale. Përse nuk jemi të zënë me festimin e Xhemalit dhe Kemalit të Zotit të Madhëruar?

Sa hatme do të bëheshin dhe sa taravih e Tehexhude do të faleshin, me orët që kalohen duke shpenzuar përballë televizorit dhe me celularë?

Gjithnjë nxitojmë pas emocioneve që na japin shqisat tona. Po mirë, pse nuk emocionohemi me Qenien (Zat) e Zotit? Të merresh me Qenien e Zotit, a nuk është më ushqyese, më entuziaste dhe më e madhe?

Gjithë ajo kohë që harxhohet duke ngrënë e duke pirë, duke bërë pazar dhe duke fjetur, kushedi se sa të sëmurëve, nevojtarëve, të skamurve e jetimëve mund t’u ishte bërë vizitë?

Nuk harrojmë kurrë të ushqejmë trupin. Po mirë, pse harrojmë të ushqejmë shpirtin? Përse njerëzit refuzojnë të hanë nga sofra e xhenetit, ndërkohë që u është shtruar para tyre? Ndërkohë që njerëzve në këtë botë u ka ardhur një ofertë që të ngjitën në qiej, përse zgjedhin të qëndrojnë në një jetë rutine dhe shqetësuese? Hazreti Rumiu ka thënë:

“Përveç dashurisë ndaj Allahut të Madhëruar, gjithçka tjetër është një vuajtje e vërtetë. Vuajtje është të shkosh drejt vdekjes dhe të mos pish ujin e jetës.”

“Po i ikën Allahut, por nuk po u ikën ushqimeve. Po i largohesh fesë, por nuk po u largohesh idhujve. O ti që nuk arrin të bësh pa qenë bashkë me këtë botë të poshtër! Si po mund të jetosh pa qenë bashkë me atë që e shtrin si qilim poshtë? O ti që nuk mund të bësh pa këto lukse dhe komoditete! Sikur të mos ishte Bujar Allahu, ç’do bëje? Sikur ndonjëri të dëgjonte se në një qytet, një bujar po dhuronte dhurata dhe begati madhështore, natyrshëm do të shkonte me shpresë që të merrte ndonjë pjesë. Kurse begatitë e Zotit janë të njohura dhe mëshirën e Tij e di e gjithë dynjaja. Atëherë, përse nuk po kërkon prej Tij? Përse nuk po dëshiron petkun e nderit?”

“Shqetësimet dhe brengat nuk i keni nga përsëritja e fjalëve, por nga mungesa e urisë.”

“Kënaqësia që i jepni trupit ju bën më të papjekur, vuajtja është ajo që ju pjek. Pa hyrë në trajtën që feja kërkon, ju nuk mund të bëheni besimtarë të vërtetë.”

Abdulkadir Gejlaniu ka këshilluar në këtë mënyrë: “Kultura shpirtërore, sufizmi, nuk realizohet me sohbete (ligjërata islame) të gjata, por me uri dhe me braktisjen e gjërave që jeni mësuar dhe gjërat që dëshironi.”

Në një hadith, Pejgamberi ynë i dashur (s.a.s.), ka thënë:

“Trokit në derën e urisë.” Uria shton nevojën e krijesave për Krijuesin. Uria pastron gjynahet dhe heq pengesat në rrugën drejt Zotit.

Vetëm ata që janë të etur kërkojnë ujë. Vetëm ata që kanë nevojë, përgjërohen, qajnë, luten dhe shpëtojnë. Uria është edukuesi dhe shëruesi më i mirë i sëmundjeve tona shpirtërore. Uria është shqetësimi, brenga, belaja dhe ilaçi i të gjitha sëmundjeve të njerëzve.

Një grup dijetarësh kanë thënë:

“Rehatia e vërtetë është të shpëtosh nga dëshirat dhe endjet e nefsit emmare[4]. I burgosuri ynë është nefsi ynë. Sa të shpëtohet nga ai, do të jesh i qetë deri në pafundësi.” Nëse duam të ruajmë veten tonë nga vendet me batak dhe të rrezikshme të qenies njerëzore, duhet të zbulojmë etjen e shpirtrave tanë! Ndaj jemi përballë me problemin sesi mund ta ringjallim kujdesin ndaj urisë dhe etjes. Përgjigjja është nevoja që ka shpirti ynë për ujë. Si përfundim, agjërimi është një mjet i përsosur për të na zgjuar nga gafleti dhe devijimi. Agjërimi e shton në mënyrë shumë efikase etjen hyjnore, shton nevojën për të vërtetën. Jemi të detyruar të pimë nga uji i jetës dhe të hamë nga gostitë e xhenetit. Urtësia e vetme e të qenit farz agjërimi, qëndron pikërisht tek urtësia e përjetshme e të kuptuarit të qenies njerëzore.

Në muajin e Ramazanit kemi mundësinë të braktisim në mënyrë të vetëdijshme nderin, famën, postin  dhe pasurinë e dynjasë. Në Ramazan, duke agjëruar, shtohen ndjenjat e mëshirës dhe dhembshurisë ndaj njerëzve që duken se janë në një klasë më të ulët shoqërore, ndaj të diskriminuarve, ndaj të shtypurve dhe ndaj nevojtarëve. Thënë ndryshe, agjërimi shton ndjeshmërinë ndaj të tjerëve. I hap rrugët e zgjimit ndaj të gjithë vëllezërve në botë.

Në Ramazan përfitojmë mundësinë për të penguar ngjashmërinë e jetës sonë me jetën moderne. Shoqëritë e sotme janë në përpjekje që të prishin natyrshmërinë e njeriut. Njerëzit janë larg së vërtetës, bashkimit, ngritjes dhe mëshirës. Këtë jetë të paekuilibruar dhe të paharmonizuar, muaji i Ramazanit e kthen në të kundërtën e saj dhe nxit që të shtohen ibadetet, shërbimet, dhikri dhe duaja. Agjërimi është një mburojë ndaj botës moderne. Është një antivirus, parzmore dhe një antibiotik. Ai asgjëson vlerat materiale me qendër “egon”. Është një kundërhelm ndaj ndarjes së feve, ndaj ndarjes së shteteve më dysh, ndaj ndarjes së shoqërive, ndaj ngatërresave mes vëllezërve, ndaj largësive mes klasave të larta e të ulëta, ndaj shkatërrimit të familjeve, ndaj degjenerimit të shoqërive.

Ajo çfarë ka humbur është përshpirtshmëria, përqafimi, bashkimi, vëllazëria, shoqëria. Sëmundjet shpirtërore mund të bëhen shkak për vdekjen tonë shpirtërore. Të qenit brenda një gjendjeje errësire, shkujdesjeje, injorance dhe pavetëdijeje, është një vetëvrasje shpirtërore.

Për sa kohë që nuk kthehet në agjërim ndaj dynjasë, për të shtuar dashurinë ndaj Allahut, agjërimi do të mbesë si një përpjekje jetime. Përfundimisht, nuk do të mbesë asgjë tjetër, përveç disa kafshatave të shijshme që hahen në kohën e iftarit. Ashtu sikurse e kundërta e pasurisë nuk është varfëria, po ashtu edhe e kundërta e agjërimit nuk është luksi, pasuria apo karriera. Pasuria, madhështia dhe luksi kanë kuptimin e mungesës së dashurisë, që do të thotë, largësi nga Allahu, që është Mëshirues dhe Mëshirëbërës. Të mbash agjërim ndaj dynjasë, do të thotë të fitosh thesarin e dashurisë dhe prehjes hyjnore.

Le të mos harrojmë se përmes agjërimit, në fakt festojmë shpalljen e Kuranit Famëlartë. Përmes namazit festojmë dashurinë ndaj Muhamedit (s.a.s.). Përmes edukatës së dhurimit festojmë bukuritë e frutit të dashurisë, Ehli Bejtul-Mustafanë. Dhe përmes haxhit, festojmë fenë e tevhidit.

Në Natën e Miraxhit u bë një bisedë mjaft interesante, e cila shfaqi një thesar të pashtershëm të muajit të mrekullueshëm të Ramazanit. Zoti i Madhëruar e ka pyetur Profetin tonë të dashur (s.a.s.): “A e di se çfarë shpërblimi do t’u jap njerëzve të mi, që kanë zgjedhur të qëndrojnë të heshtur?” Resulullahu iu përgjigj: “Nuk e di, o Zoti im!” Atëherë, Zoti i tha: “Është urtësi të agjërosh, të heshtësh dhe të mos flasësh. Kurse trashëgimia e urtësisë është një dituri e fshehtë. Fundi i diturive të fshehta është të qenit pranë Meje. Për atë njeri që flijon veten e tij për respektin Tim dhe për të fituar kënaqësinë Time, kam tre shpërblime: do t’i jap një mendje të tillë, sa ai nuk do të harrojë më. Do t’i jap një dashuri të tillë, sa nuk do të dashurojë asgjë tjetër përveç Meje. Zemra e njerëzve të Mi, do të mbushet aq shumë me dashuri ndaj Meje, saqë nuk do të ngelet vend për diçka tjetër. Ata që më duan Mua, edhe Unë do t’i dua. Madje, do të bëj të mundur që ata t’i dojë edhe populli. Ata do t’i bëj mbretër të zemrave.”


[1] Rijazet: edukimi i egos duke e lënë të uritur, të etur dhe duke e shmangur nga gjërat që ajo pëlqen. (Përkth.)

[2] Itikaf: një lloj asketizmi me qëllim ibadetin, duke respektuar disa rregulla të caktuara fetare. (Përkth.)

[3] Halvet: trajnimi që merr një njeri nga një mjeshtër shpirtëror për të realizuar rijazetin përmes përqendrimit mendor dhe një dhikri të veçantë. (Përkth.)

[4] Nefsul-emmare: nefsi urdhërues, imponues. Shkalla e parë e nefsit sipas mistikës islame. Për më gjerë, shih. O. Nuri Topbash, Tasavvufi ose mistika islame, Erkam Yayinevi, Istnbul 2006, f. 121 – 127. (Përkth.)

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *