Press "Enter" to skip to content

“Fjalët e kota” në Kuran

Nga Doç. dr. Kerim Bulladë

Në këtë shkrim do të flasim mbi një koncept të rëndësishëm në të cilin na tërheq vëmendjen Kurani Fisnik. Për “fjalët e kota” e të parëndësishme, prej të cilave besimtari duhet të qëndrojë larg. Në fakt, gjërat që ia marrin më së tepërmi kohën njeriut dhe që bëhen shkak i pengimit të formimit dhe zhvillimit të respektit dhe dashurisë ndërmjet njerëzve, janë fjalët boshe, bisedat, fjalosjet dhe punët pa kuptim. Para se të hyjmë në temë, është me dobi të shpjegojmë kuptimin e fjalës arabe “lagv” që përmendet në Kuran.

El-lagv, ka kuptime të ndryshme si, të flasësh, të anulohet, të bëhet e pavlefshme, të llomotitësh, të flasësh gabim, fjalë e kotë, fjalë e padobishme që nuk ka përfitime dhe rëndësi, gjë e parëndësishme, gjynah, kotësi, të bësh zhurmë, të hapësh ngatërresa etj.1

El-lagv, do të thotë, fjalë që thuhet pa u menduar dhe pa u logjikuar. Ky term përdoret edhe për çdo fjalë të shëmtuar. Po ashtu, përdoret edhe për të shprehur gjërat që nuk duhen llogaritur. Ndërsa betimi që nuk përmban vendosmëri të prerë dhe vullnet, quhet “betim lagv”.2

Termi el-lagv, së bashku me derivatet e tij, përdoret në njëmbëdhjetë vende në Kuran. Një pjesë prej këtyre përdoret në lidhje me këtë botë, ndërsa pjesa tjetër përdoret në fjali të tjera në lidhje me botën tjetër. Përveç ajeteve që shprehin largimin e besimtarëve prej “lagv-it”, pra prej fjalëve të kota, në Kuran ka edhe ajete që shprehen se besimtarët nuk do të dëgjojnë fjalë të kota në Xhenet, sepse aty nuk do të ketë fjalë të tilla. Mohuesit, përpiqeshin të bënin zhurmë e poterë me qëllim që njerëzit të mos ndikoheshin prej elokuencës dhe koncizitetit të Kuranit. Dhe këtë e kanë shprehur në formën urdhërore “ilgav”, të fjalës “el-lagv”. Nëse përmendim shkurtimisht ajetet ku përdoret fjalë “el-lagv”, do të na ndihmojë ta kuptojmë edhe më mirë këtë temë.

Cilësitë e besimtarëve

Në vende të ndryshme të Kuranit tregohen cilësitë e besimtarëve që meritojnë shpëtimin. Mes këtyre cilësive theksohen ata që qëndrojnë larg fjalëve të kota, bisedave të padobishme dhe çështjeve që nuk duhet t’u interesojnë.

“Ata të cilët shmangen nga fjalët e kota.” (Mu’minun, 3)

“(Ata që), kur dëgjojnë ndonjë marrëzi, i shmangen asaj, duke thënë: «Ne kemi veprat tona, ndërsa ju keni veprat tuaja! Paqja qoftë me ju! Ne nuk duam shoqëri me të paditurit».” (Kasas, 55)

“(Kështu janë) edhe ata që nuk dëshmojnë në mënyrë të gënjeshtërt e, kur kalojnë pranë kotësive, kalojnë me dinjitet” (Furkan, 72)

Siç shihet në ajetet e mësi përme, besimtarët, përveçse shmangen prej fjalëve dhe gjërave të kota e të padobishme, ata kthejnë shpinën edhe kur dëgjojnë të thuhen fjalë të kota. Po ashtu, theksohet se ata mbajnë qëndrim edhe ndaj injorantëve që veprojnë në mënyrë të tillë. Nga ana tjetër, kur përballen me gjëra të tilla negative, ata e ruajnë dinjitetin. Sipas Kuranit, besimtari përpiqet të mos flasë asnjë fjalë të panevojshme, të padobishme, pa urtësi e të pakuptimtë. Vetëm në këtë mënyrë ai arrin të ruajë personalitetin dhe dinjitetin e vet. Ai ecën gjithmonë me parimin “Shiko veprat, jo fjalët!”. Ai ose flet mirë, ose hesht. Ai e peshon çdo fjalë që del prej gojës së tij, llogarit se ku do t’i shkojë fjala dhe mendon gjatë e gjerë se çfarë synon të thotë dhe çfarë pret prej asaj që thotë. E gjithë kjo, sepse ai e ndjen me gjithë zemër përgjegjësinë se duhet të pajiset me moralin e parimit hyjnor: “Mos shko pas diçkaje për të cilën nuk ke dijeni. Vërtet, dëgjimi, shikimi dhe zemra, të gjitha këto do të merren në përgjegjësi.” (Isra, 36)

Betimi lagv

Kur trajtohet çështja e “betimeve” në Kuran, flitet edhe për “betimin lagv”, duke u shprehur se njeriu nuk do të merret në përgjegjësi për këtë lloj të betimit. Betimi lagv, është betimi që bëhet gabimisht, duke kujtuar se është i drejtë. Për shembull, i tillë është betimi kur thuhet “Për Zotin e lava borxhin”, ndërkohë që është keqkuptuar. Përveç kësaj, betim lagv konsiderohen edhe betimet që bëhen prej zakonit të gjuhës, si “vallahi, për zotin, etj.” dhe që janë pa ndonjë përmbajtje të rëndësishme. Për këto lloj betimesh, nuk kërkohet shpagim. Megjithatë, ata që e kanë bërë zakon një-dy të betohen, është mirë të heqin dorë sa më parë prej këtij zakoni të keq.

Besimtari nuk duhet të betohet kot vend e pavend dhe nuk duhet ta përdorë betimin për interesat personale. Të betohesh vend e pavend, thjesht për shkak të zakonit dhe pa asnjë synim të caktuar, nuk përputhet me moralin e besimtarit. Lidhur me betimin lagv, në Kuran thuhet:

“Allahu nuk ju dënon nëse betoheni pa qëllim, por ju dënon për atë që vendosni në zemrat tuaja. Allahu është Falës i madh e i Butë.” (Bekare, 225)

“Allahu nuk ju ndëshkon për betimin që e bëni pa qëllim, por ju ndëshkon për betimin e bërë me qëllim. Larja e gjynahut për thyerjen e betimit është: ushqyerja e dhjetë të varfërve me mesataren e ushqimit të familjes suaj ose t’i vishni ata, ose të lironi një skllav. Ai që nuk gjen mundësi për këto, le të agjërojë tri ditë. Kjo është shlyerja për thyerjen e betimeve tuaja, nëse betoheni. Mbani betimet tuaja! Kështu jua shpjegon Allahu Fjalët dhe ligjet e Veta, që të jeni mirënjohës.” (Maide, 89)

Qëndrimi i mohuesve ndaj Kuranit

“Jobesimtarët thonë: «Mos e dëgjoni këtë Kuran! Flisni e qeshni me zë të lartë, që të pengoni leximin e tij!»” (Fussilet, 26)

Mohuesit nuk mund ta toleronin dot leximin dhe dëgjimin e Kuranit, i cili është një mrekulli më vete në aspektin e fjalës. Ky qëndrim shfaqet si karakteri më i spikatur i mohuesve që prej zbritjes së Kuranit e deri në ditët tona dhe do të vazhdojë kështu deri në Ditën e Kiametit. Siç shihet edhe në ajetin e mësipërm, mohuesit kanë kryer veprimin e “lagv-it”, pra kanë bërë zhurmë e potere, duke u bërë shkak i ngatërresave. Gjithashtu, ata i kanë nxitur vazhdimisht përkrahësit e tyre që të qëndrojnë kundër përhapjes së Kuranit dhe mesazhit të tij.

Në Xhenet nuk ka fjalë të kota Kurani thekson duke i dhënë rëndësi, se besimtarët nuk do të dëgjojnë fjalë të kota në Xhenet, se aty nuk do të ndodhë asgjë që turbullon mendjen e që të fut në gjynah dhe se aty do të mbizotërojë gjithmonë paqja dhe hareja. Shkaku që besimtarët arrijnë një mirësi të tillë, është si shpërblim për ata që nuk janë marrë me fjalë të kota e të padobishme kur kanë qenë në dynja. Kurani Fisnik, lidhur me shpërblimin që do të meritojnë besimtarët në Xhenet, shprehet:

“Aty nuk do të dëgjojnë llomotitje, por vetëm fjalë përshëndetjeje për paqe dhe do të ushqehen në mëngjes dhe në mbrëmje.” (Merjem, 62)

“Atje do t’ia kalojnë njëri-tjetrit gotat e mbushura e nuk do të ketë biseda të kota e as gjynahe.” (Tur, 23)

“Atje nuk do të dëgjojnë biseda të kota e as gënjeshtra.” (Nebe, 35)

“Aty nuk do të dëgjojnë biseda të kota, as fjalë gjynahesh, por vetëm fjalët «Paqe, paqe»!” (Uakia, 25-26)

“Ata do të jenë në kopshtin e lartë, në të cilin nuk do të dëgjojnë fjalë boshe.” (Gashije, 10-11)

Mënyra për të merituar shpërblimin e përmendur në ajetet e mësipërme, është shmangia prej fjalëve dhe veprave të kota e të padobishme. Besimtari nuk duhet të veprojë kot dhe pa kuptim as me fjalë, as me sjellje dhe as me qëndrime. Nuk duhet harruar se besimtarët e pjekur e kanë gjetur përsosmërinë gjithmonë tek heshtja dhe këtë pozitë e kanë arritur dhe do ta arrijnë gjithmonë me të folurën në kohën dhe vendin e duhur. Besimtari që pajiset me moralin hyjnor të Kuranit, nuk duhet të flasë pa vend dhe nuk duhet të merret me punë të padobishme që nuk i vlejnë aspak.

Referencat: 1. Ibn Manzur, Lisanu’l-Arab, Daru Ihjai’t-Turathi’l-Arabijji, Lubnan, 199, XII, 299-300. 2. Ragib el- Isfehani, Mufredatu Elfadhi’l-Kuran, tahkik, Safuan Adnan Daudi, Daru’l-Kalem, Sham, 2011, fq. 742.

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *