Press "Enter" to skip to content

LA dhe IL-LA

“La” dhe “Il-la…”

Kjo është një disiplinë mendimi.

“Përkufizimi” i përkufizimit, është i lidhur pikërisht me këtë disiplinë mendimi.

Përkufizimi është procesi i inkuadrimit të plotë të pjesëve përbërëse dhe lënia jashtë e pjesëve të huaja. Këtë disiplinë mendimi, Kurani na e mëson me anë të parimit themelor të besimit.

“La” është procesi i pastrimit dhe filtrimit të mendjes nga çdo gjë e papranueshme. Ndërsa “il-la” është procesi i vendosjes së të vërtetës themelore në bazamentin e mendjes së pastruar plotësisht.

“La” dhe “il-la” janë stacione të cilat duhet të jenë në shkallë të caktuara të mendjes. Nuk mund të ecet gjithmonë me “la”, sepse kjo do të thotë të shumëzosh me hiç çdo gjë tjetër. Kur mendja kalon nga “la” tek “il-la”, arrin pjekurinë dhe besimin e vërtetë.

Përdorimin më të qartë dhe më të afërt të “la” dhe “il-la”, e gjejmë te Formula e Teuhidit.

– La ilahe il-lallah

Nëse e shqyrtojmë këtë përdorim, vëmë re se këto fjalë janë krijuar për të qëndruar pranë njëra-tjetrës. Mbase për këtë arsye, Islami i ka përmbledhur pjesët më themelore të besimit në këto katër fjalë.

A ka ndonjë vend tjetër ku “la” dhe “il-la” mund të përdoren në mënyrë kaq ndikuese? Një vend ku “la” fiton një identitet kaq mohues dhe “il-la” një identitet kaq këmbëngulës në ekzistencë dhe ku ky përdorim fiton një cilësi kaq jetësore? Në fakt, kjo nuk dihet!

Me shprehjen “la ilahe”, themi “nuk ka Zot”. Ky është një pohim i rëndë. Prandaj nuk mund të qëndrohet këtu. Nëse i japim “la”së qëndrueshmëri në rolin që ka këtu, mendja juaj shkon drejt shkatërrimit, sepse nuk është e mundur të mendohet një botë “pa Zot”.

Për të deklaruar ekzistencën dhe njëshmërinë e “Allahut” me qartësi dhe pa lënë pas asnjë fije dyshimi, më parë duhet bërë “një mohim gjithëpërfshirës” dhe më pas vjen në mënyrën më të qartë të mundshme, “deklarimi i ekzistencës”.

Për t’i dhënë deklarimit të ekzistencës cilësinë më determinuese, është futur në lojë mohimi gjithëpërfshirës, si një instrument mendor. Kur shihet nga kjo pikëpamje, mund të lindë pyetja: “A duhet të kuptohet Formula e Teuhidit: “Nuk ka zot tjetër përveç Allahut”?” Kjo mënyrë e të shprehurit nuk është e gabuar. Por, nëse vihet re me kujdes, kjo është një shprehje e ndërtuar mbi “la”. Ndërsa në fakt, theksi në Formulën e Teuhidit bie mbi “il-la”“Mosekzistenca e Zotit” është thënë “vetëm për të shprehur ekzistencën e Allahut”. Për këtë arsye, mbase kuptimi i drejtë do të ishte: “Përveç Allahut nuk ka Zot tjetër”.

Kjo është edhe arsyeja që gjatë dhikrit përsëritet ose e gjithë Formula e Teuhidit “La ilahe il-lallah”, ose vetëm pjesa e dytë “il-lallah”. Dhe, asnjëherë nuk bëhet dhikir vetëm me pjesën e parë “La ilahe”.

Kjo gjë nuk e bën të pakuptimtë dhe nuk ia humbet funksionin “la”së. Përkundrazi, në sajë të “la”së, realizohet procesi i pastrimit të mendjes. Të gjitha mundësitë e tjera shumëzohen me zero dhe përgatitet baza për një të vërtetë të madhe.

Sigurisht që në edukimin e “Teuhidit të vërtetë”, është paraparë që “la”ja të kryejë pastrimin e vërtetë të mendjes. Prandaj, njeriu duhet të jetë i vetëdijshëm ndaj çdo gjëje që përmban rrezikun për t’u konsideruar si një “zot” dhe kur të thotë “la”, nga mendja e tij duhet të pastrohen të gjitha fundërrinat.

Kurani i identifikon ato që njerëzit adhurojnë si “zot” dhe kërkon të vendosë formulën e teuhidit në vend të tyre. Ndër ato që njerëzi i adhurojnë si “zot”, mund të përmendim:

– Shenjtërimi i “heua”së, pra i dëshirave të ulëta të nefsit…

– Shenjtërimi i atyre që cilësohen si “tagut”. Pra, çdo përqendrim fuqie e cila pretendohet të jetë e fortë kundër Allahut…

– Shenjtërimi i njerëzve të fesë dhe murgjve, nëse pranohet gjykimi i tyre kur e bëjnë hallallin haram dhe haramin hallall…

– Shenjtërimi i gurit, drurit, diellit, hënës etj…

– Shenjtërimi i vetes nga ana e liderëve politikë ose besimi nga ana e të tjerëve se ata zotërojnë fuqi hyjnore…

– Shenjtërimi i pasurisë dhe pronës…

– Dashuria dhe respekti i tepruar për fëmijët apo familjen, deri në atë masë saqë ta shtyjnë dikë që, për hir të dashurisë ndaj tyre, të shkelë urdhrat dhe ndalesat e Allahut Teala…

Islami kërkon t’u thuhet “la” të gjitha këtyre dhe mbase çdo gjëje që zotëron damarin e “shenjtërimit”. Të jesh i vetëdijshëm për “damarin e shenjtërimit”, kërkon një vetëdije teuhidi të veçantë.

“Damari i shenjtërimit”, për të cilin po flasim këtu, duhet të kuptohet drejt. Mund të thuhet se njeriu nuk mund ta bëjë veten zot, t’i përulet e t’i bëjë sexhde ose nuk del përpara murgut dhe e adhuron atë, ose edhe se nuk i bën sexhde pasurisë e pronës… Atëherë çfarë është shenjtërimi?

Shenjtërim do të thotë, t’i përdorësh të gjitha këto për ndërmjetësim dhe të kalosh të gjithë kufijtë që ka vendosur Allahu Teala. Pra, pikërisht kjo është ajo që duhet kuptuar kur themi “damari i shenjtërimit”. Dhe të gjitha këtyre duhet t’u hiqet “vija e la”së.

Nëse themi “La ilahe” me gojë, qoftë edhe njëmijë herë në ditë dhe në zemrën dhe jetën tonë vazhdojnë të jetojnë idhujt e ngulur prej nefsit, do të thotë se “la”ja nuk po e kryen funksionin e saj, pra nuk po i spastron ata idhuj.

Mund të themi edhe se, nëse zemra juaj nuk është kapur fort pas vetëdijes “il-lallah”, nuk është e mundur që “La ilahe” të kthehet në një mekanizëm spastrimi të vetëdijshëm.

Mbase shumë njerëz në botë janë duke jetuar duke thënë gjithmonë “La ilahe”, pra duke mohuar të gjitha fuqitë dhe mes këtyre edhe ekzistencën e Allahut. Për shembull,  agnosticizmi, i cili ndikon më së shumti tek intelektualët, është një rrymë filozofie e cila shpreh “mosdijen”. Në fakt, nuk beson në asnjë gjë e cila adhurohet si zot, por nuk arrin as tek pika e “besimit të Allahut”. Pra, ngelet në vend duke thënë vetëm, “nuk e di”. Por të njohësh Krijuesin dhe ekzistencën e Allahut, është e domosdoshme. Mendjen, që nuk mund ta konceptojë ekzistencën e Tij, as islami nuk mund ta pranojë si një mendje e cila i ka përcaktuar koordinatat e veta. Një mendimtar, këta të devijuar modernë, i përkufizon si “intelektualë “la”istë. Pra, bota e mendimit, e cila çdo gjëje i thotë “la” dhe nuk arrin të vijë deri tek “il-la”

Kurani Kerim, gjatë ndërtimit të vetëdijes së besimtarit, mekanizmin e “refuzimit dhe dëshmisë– mohimit dhe deklarimit të ekzistencës”, e përdor shpesh dhe në kombinime të ndryshme:

– “إِيَّاكَ نَعْبُدُ وَإِيَّاكَ نَسْتَعِينُ / Ijjake na’budu ue Ijjake nesteijn.” Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë. (el-Fatiha, 5.)

Ky është një kombinim i refuzimit dhe dëshmisë ku fjala “Ijjake” përmban “la”në dhe “il-la”në.

“Jo qenieve të tjera që hiqen si hyjni, por vetëm Ty…”

– وَمَا خَلَقْتُ الْجِنَّ وَالْإِنسَ إِلَّا لِيَعْبُدُونِ / Ue ma halaktu’l-xhinne ue’l-inse il-la li ja’buduun” Nuk i kam krijuar xhindët dhe njerëzit (për diçka tjetër), përveçse të më adhurojnë Mua. (edh-Dharijat, 56.)

Në këtë ajet, vendin e “la”së, e ka marrë parafjala mohore “Ma”. Por në fund, përsëri ka ardhur “il-la”.

Pastrimi nga gjërat negative dhe vendosja e Hakut (Allahut)…

Nëse myslimani e përvetëson në kuptimin e vërtetë të fjalës disiplinën e mendimit të Formulës së Teuhidit, kjo do të bëhet një element ndikues në vendosjen e së vërtetës në të gjitha fushat e jetës. Lum ai që e gdhend në mendje vetëdijen e teuhidit…

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *