Press "Enter" to skip to content

Mos punoni! Pushoni!

Nga Idris Arpat

Problemi psikologjik që shfaqet me fillimin e punës në krye të javës, pas pushimit të fundjavës dhe i cili njihet edhe si “sindroma e së hënës”, është një prej problemeve më të mëdha në perëndim në lidhje me sektorin e punës. Dita që fillon me armiqësi në të hënën dhe me sy që nuk dinë të hapen, vazhdon me stres e vështirësi. Pesimizmi që ndjehet gjatë gjithë ditës së hënë dhe të martë, lehtësohet disi me veprimtaritë që bëhen në fundjavë. E mërkura kalon pak më lehtë. Sidoqoftë, ka kaluar gjysma e javës dhe në mendje kanë filluar të vijnë vërdallë planet për fundjavë. E enjtja kalon duke menduar se çfarë do bëhet në fundjavë. Ndërsa ditën e premte është pothuajse e pamundur të përqendrohesh për shkak të mendimeve në lidhje me planet për fundjavë. Gjithsesi, fundjava vjen dhe përpiqesh ta shijosh minutë për minutë me shpresën që të mos mbarojë kurrë. Pas saj vjen përsëri e hëna, përsëri puna, përsëri stresi…

Në vitet e kaluara, një gazetë kishte zhvilluar disa reportazhe me shumë shkrimtarë të famshëm për të mësuar se ku dhe kur do t’i bënin pushimet. Por vetëm një shkrimtar dha përgjigje ndryshe nga të tjerët. Ai tha kështu:

“Vendi im për pushime është në krye të daktilografit tim, ndërsa koha është çdo ditë që bëj punën time. Unë e dashuroj punën time, prandaj për sa kohë që punoj, e konsideroj se jam me pushime.”

Kur i lexova këto fjalë, më erdhi në mëndje thënia e Konfucit:

“Bëni punën që dashuroni, që të mos punoni!” Nëse nuk dëshironi të vuani prej sindromës së të hënës, nëse e konsideroni të padurueshme të jetoni çdo ditë minutë për minutë si në torturë deri në fund të javës dhe, nëse e keni të vështirë ta filloni javën me fytyrë të vrenjtur dhe pa dëshirë, mund të bëni vetëm një gjë: Të bëni punën që dashuroni!

Puna që bëni tani, mund të mos jetë ajo që dashuroni. Nëse keni aftësi dhe mundësi, ndërrojeni punën dhe filloni të bëni punën që dashuroni. Nëse nuk keni mundësi, atëherë përpiquni ta dashuroni dhe të ndjeni kënaqësi prej punës që bëni. Mendoni për njerëzit të cilët kanë dobi prej prodhimit ose prej shërbimit tuaj. Përpiquni të imagjinoni fytyrat e njerëzve të cilëve u lehtësohet puna, gëzohen dhe buzëqeshin në sajë të punës suaj. Mendoni se sikur të mos jeni ju, nuk do të jetë as ajo punë, ose të paktën nuk do të bëhet aq mirë sa e bëni ju. Nuk them të ngarkoni mbi supe të gjithë peshën e vendit të punës. Por them që çfarëdo pune të bëni, nëse e bëni me gjithë zemrën dhe dashurinë tuaj, do të bëheni njeriu që e bën më mirë atë punë. Edhe nëse dy bukë kanë të njëjtat përbërje, përgatitje dhe pjekje, ajo që bëhet me dashuri, do të dallohet menjëherë. Në të njëjtën mënyrë dallohet edhe cilësia e çdo pune që bëhet me dashuri. Në këtë mënyrë, edhe njerëzit që përfitojnë prej prodhimit apo prej shërbimit tuaj bëhen të lumtur, edhe ju do të pushoni, duke e bërë punën tuaj me dashuri .

Tashmë hiqni dorë prej lodhjes duke punuar dhe pushoni duke punuar!..

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *