Press "Enter" to skip to content

Nga rubrika “Në ajet”

“O njerëz! Pa dyshim, premtimi i Allahut (Dita e Gjykimit) është i vërtetë, prandaj të mos ju mashtrojë kurrsesi jeta e kësaj bote!..” (Fatir, 5)

Njeriu ka dëshira dhe instinkte që e lidhin atë pas kësaj bote, të cilat janë të gdhendura në natyrën e tij. Këto i japin formë të gjithë jetës së tij. Për sa kohë që forca dhe shëndeti i tij janë mirë, ai vazhdon të rendë pas këtyre dëshirave dhe instinkteve. Dëshira e njeriut për të vazhduar jetën dhe specien e vet, përpjekjet për t’u mbrojtur prej dëmeve, urisë, etjes etj., janë vetëm disa prej këtyre instinkteve. Gjithashtu, dëshira për arritjen e pasurisë së kësaj bote dhe mirësive të saj, si fama, ndikimi dhe sundimi i të tjerëve, arritja e sukseseve dhe e epërsisë, fitimi i respektit dhe reputacionit, etj., janë disa prej instinkteve të tjera njerëzore.

Këto ndjenja dhe instinkte, shfaqen në mënyrë të ndryshme tek njerëzit. Për shembull, synimi më i madh i jetës së disa njerëzve është pasuria. Dikush tjetër dëshiron famën dhe reputacionin dhe të gjithë jetën e shpenzon për këtë qëllim. Dikush tjetër dëshiron post dhe pozitë të lartë, arritja e të cilave është ambicia e tij më e madhe. Ndërsa synimi i dikujt tjetër, është gruaja dhe fëmijët, përveç të cilave nuk ka ideale të tjera. Ndonjëherë tek një njeri gjenden disa prej këtyre dëshirave njëherësh. Por njeriu vetëm sa sprovohet në këtë botë me këto dëshira dhe ambicie.1 Pra, a do t’i përdorë këto si mjete apo si qëllime për arritjen e pjekurisë së tij shpirtërore. Po ashtu, a do të mund t’i kontrollojë njeriu këto ndjenja dhe dëshira?2 Apo mos ndoshta do të hyjë plotësisht nën kontrollin e këtyre dhe do të bëjë një jetë pa pyetur për hallalle dhe harame?3 Nëse këto dëshira dhe instinkte bëhen qëllimet kryesore të njeriut, ato do të përbëjnë pengesën më të madhe të tij në aspektin e devotshmërisë ndaj Zotit të vet. Për rrjedhojë, kjo gjendje, në Kuran përkufizohet si idhujtarizim i dëshirave dhe epsheve të veta.4 Kjo, nënkupton rënien dhe uljen e njeriut. Por nëse njeriu i përdor këto si mjete për të fituar kënaqësinë e Allahut, në këtë rast ai ngrihet dhe lartësohet.

Në Kuran, gjendja e popujve që u nënshtruan nga dëshirat dhe epshet e veta, tregohen në këtë mënyrë duke iu drejtuar Profetit (a.s.): “Lëri ata të hanë e të kënaqen dhe le t’i mashtrojë shpresa; ata do ta marrin vesh!” (Hixhr, 3; shih. Teube, 69.)

Në përgjithësi, njeriu nuk merr mësim prej popujve të shkuar. Në fakt, që prej njeriut të parë e deri më sot, në këtë tokë kanë jetuar me miliarda njerëz, të cilët janë lidhur pas kësaj bote me një lakmi dhe një tamah të pakufishme. Por më në fund të gjithë janë bluar në mullirin e kësaj bote, janë bërë dhe, e nuk i kanë shpëtuar dot zhdukjes. Tashmë, në vendet ku ata kanë jetuar fryjnë vetëm erërat, emrat e tyre janë harruar, ndërsa fama e tyre është varrosur në thellësitë e historisë. Prej tyre kanë mbetur vetëm muret e kalave që kanë përdorur për t’u mbrojtur dhe për të luftuar, ose shtyllat e pallateve ku janë jetuar në luks.

Kurani flet për popujt e shkuar, të cilët kanë ndërtuar qytetërime. Kanë gdhendur shkëmbinjtë dhe kanë ndërtuar strehime të forta e të sigurta.5 Në këtë mënyrë, ata kanë menduar se e kanë siguruar jetën e tyre. Sa keq! Gjithçka ishte e kotë, sepse ata kishin ardhur prej dheut dhe më në fund u kthyen në dhe, duke mos i shpëtuar dot zhdukjes.

Prej popujve të shkuar, kishte prej atyre të cilët u zhytën në kënaqësi e argëtime të pafundme të kësaj bote. Ata mendonin se do të jetonin gjithmonë aty, pranë kopshteve, të mbjellave, vreshtave dhe pemëve frutore në buzë të lumenjve.6 Ja pra, a nuk është pikërisht ky mendim shkaku kryesor që e largon njeriun prej Zotit të vet?

Disa prej popujve të shkuar, nuk i kishin marrë seriozisht paralajmërimet dhe thirrjet e profetëve të tyre. Ata u thoshin profetëve se nuk mund të përziheshin në jetët e tyre dhe se ata mund të adhuronin, të hanin dhe të pinin çfarë të donin. Madje ata i thoshin profetëve se nuk mund të ndërhynin as në fitimet e tyre, duke ua treguar hallallin apo haramin.7 Po ashtu, u thoshin edhe se nuk mund të përziheshin as në jetën e tyre seksuale e të vendosnin kufij duke i ndaluar të vepronin si të donin.8

Kjo botë është si një sallë provimi. Për shekuj me radhë shumë njerëz kanë kaluar nga kjo sallë për të kryer provimin. Dikush fitoi, e dikush humbi. Tani është radha e turnit tonë. Bota na është lënë neve amanet, ndërsa ne i jemi lënë botës. Prej Allahut kemi ardhur dhe përsëri tek Ai do të kthehemi.

Jeta e njeriut në këtë botë kalon si një garë. Ndjenjat dhe instinktet që janë vendosur në natyrën e njeriut e detyrojnë atë të marrë pjesë në këtë garë. Lidhur me këtë, Kurani përdor termat “tefahur” dhe “tekathur”, që do të thonë garë për “epërsi mbi njëri-tjetrin, e mburrje” dhe për “zotërim të sa më shumë pasurie dhe fëmijësh”.

Në këtë jetë, njerëzit përpiqen të arrijnë epërsi ndaj njëri-tjetrit dhe mburren ndaj njëri-tjetrit me mundësitë, pozitat dhe titujt që posedojnë. Në çfarë do niveli qofshin, çdo njeri i përjeton këto ndjenja në botën e tij të brendshme. Mirëpo, njeriu nuk duhet ta harrojë garën e vërtetë duke u fokusuar vetëm në garën e kësaj bote. Dhe gara kryesore, siç thekson edhe Allahu në Kuran, bëhet për të arritur faljen e Allahut dhe xhenetet e Tij të pafundme: “Garoni me njëri-tjetrin, duke kërkuar falje prej Zotit tuaj dhe një kopsht të gjerë sa qielli dhe Toka, që është e përgatitur për ata që i kanë besuar Allahut dhe të dërguarve të Tij…” (Hadid, 21) “Për këto (mirësi), le të përpiqen ata që përpiqen!” (Mutaffifin, 26)

Në këtë botë, njeriu kërkon nder dhe dinjitet. Që prej fëmijërisë, ai dëshiron të pëlqehet dhe të vlerësohet, të fitojë reputacion dhe respekt. Për këtë arsye, rritja në karrierë, zotërimi i titujve të ndryshëm, ngritja në poste të larta dhe shoqërimi me liderë dhe njerëz të famshëm, janë gjërat që ai i dëshiron më shumë. Ja pra, njeriu nuk duhet të harrojë kurrë një gjë ndërkohë që po lufton për të qenë me reputacion në këtë botë. Dhe ajo është fakti se nderi dhe dinjiteti arrihet vetëm me sexhden dhe bindjen ndaj Allahut.

Po, epërsia dhe virtyti i vërtetë, arrihet vetëm duke iu dorëzuar plotësisht urdhrave hyjnorë. Lidhur me këtë, ky ajet është shumë domethënës: “Kush dëshiron lavdi e pushtet, ta dijë se e gjithë lavdia e pushteti i takojnë Allahut…” (Fatir, 10)

Në jetën e kësaj bote, njeriu jeton gjithmonë me mendje drejt së ardhmes. Ai thur ëndrra dhe bën plane në lidhje me të ardhmen. Gjithmonë përpiqet të përgatisë diçka për të ardhmen dhe në këtë mënyrë mundohet të garantojë të ardhmen e tij, sepse një nga instinktet më themelore të njeriu është vazhdimësia e ekzistencës së vet. Mirëpo, njeriu nuk duhet ta harrojë as faktin se, përtej të nesërmes, ka një “të nesërme” tjetër. Dhe kjo e nesërme, është dita kur do të jepet llogari para Allahut të Madhëruar. Atëherë, përgatitja për të nesërmen e kësaj bote, nuk duhet të bëhet pengesë në përgatitjen për të nesërmen pas vdekjes. Por përkundrazi, e nesërmja e kësaj bote duhet të vlerësohet si një kapital për të nesërmen e përjetshme. Kjo është edhe e vërteta që na tregon ky ajet fisnik: “O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe çdo njeri le të shikojë se ç’ka përgatitur për të nesërmen!” (Hashr, 18)

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *