Press "Enter" to skip to content

PASQYRA GJIGANTE

Nga Ejjup Akjyz

Shumë e shumë vite më parë jetonte një mbret ziliqar. Ai kërkonte të sundonte gjithë botën. Donte ta merrte nën sundimin e tij dhe ta drejtonte ashtu siç donte ai. Për këtë mendoi të formonte një ushtri me ushtarë sypatrembur. Por ç’të bënte që në ushtrinë e tij nuk kishte asnjë ushtar të tillë. Një ditë vendosi të thërriste të gjithë dijetarët e vendit dhe të merrte njëherë mendimin e tyre.

Tellallët shëtitën rrugë më rrugë për tre ditë me radhë dhe shpallën lajmin e mbretit. Kjo ftesë ishte vetëm për dijetarët. Ndërkohë dita e mbledhjes kishte mbërritur. Të gjithë dijetarët ishin mbledhur në saraj. Mbreti kishte shprehur dëshirën e tij dhe ishte ulur t’i dëgjonte një e nga një…

Njëri prej tyre u ngrit dhe tha: “I nderuar mbret, të bëjmë një pasqyrë që tregon dhjetëfishin, madje njëqindfishin e çdo gjëje. Para sulmit, t’i vendosim ushtarët para kësaj pasqyre. Kështu, ata do ta shohin vetveten më të fuqishëm se çdo gjë dhe në këtë mënyrë nuk do t’u ngelet aspak frikë në zemër. Madje do ta ndjejnë veten të pathyeshëm dhe nuk do të kenë frikë asgjë.” “Po si do t’i besojnë këtij ndryshimi të papritur?” – pyeti mbreti. “Shumë e thjeshtë, mbret i nderuar!” – tha dijetari. “Do të bëni një gosti për ushtrinë dhe të thoni se kush ha nga ato ushqime, do të bëhet edhe më i madh se gjigandi.”

“Sa mendim i bukur!” – tha me vete mbreti. E shpërbleu dijetarin me pesë qese florinj. Por një nga dijetarët u ngrit dhe e kundërshtoi këtë mendim, duke thënë: “Mendoj se në të ka një rrezik të madh. Nëse më lejoni, mund t’ua shpjegoj mbret i nderuar.” Por dijetarin nuk e dëgjoi askush. Ai u ul në vendin e tij, i pashpresë.

Mbreti, tashmë, nuk donte të humbte kohë. Donte një çast e më parë të arrinte zilitë e tij. Kështu filloi menjëherë përgatitjet. Ndërsa pasqyrat bëheshin, mbreti fluturonte nga gëzimi. Më në fund punimet përfunduan. Pasqyrat kishin marrë formën e tyre të shkëlqyer. Kur mbreti pa pasqyrat, mbeti pa mend. Tashmë, mbreti ynë dinak nuk donte të humbiste aspak kohë. Mblodhi ushtrinë dhe u dha gostinë e mrekullueshme. Nuk kishte harruar që, para gostisë të zbatonte planin e dijetarit. Ushtarët ishin sulur drejt ushqimeve duke menduar se do të bëheshin më të mëdhenj se gjigantët. Pas gostisë mbreti u kërkoi ushtarëve që të shiheshin në pasqyra. Ushtarët shikonin të habitur vetet e tyre në pasqyra. Akoma pa u kaluar habia, mbreti u shpalli dëshirën që kishte: “Së afërmi do të ketë luftë dhe ne si ushtria më e fortë do t’i mundim të gjithë, do të djegim e shkatërrojmë çdo vend që na shkel këmba. Fitorja na përket ne!” Fjalët e mbretit i ngazëllyen së tepërmi ushtarët. Tani ata kishin fjalët inkurajuese të mbretit dhe trupat e tyre prej gjigantësh që shikonin në pasqyra.

Një ditë vjeshte mbreti dha urdhrin e luftës. Në çdo vend ku do të kalonin ushtarët, ishin vendosur pasqyrat magjibërëse. Ushtarët kishin shumë siguri në vete. Po të donin shponin malet dhe hanin gurët.

Në një kohë agimi lufta nisi. Ushtarët e mbretit përparonin duke ecur në këmbë. Ndërsa ushtarët e vendit që do të pushtonin, i pritën ata të hipur mbi gjirafa. Kjo gjë nuk ishte parë kurrë më parë. Ushtarët e mbretit të cilët e shikonin veten në pasqyrë më të mëdhenj se gjigantët, madje edhe më të mëdhenj se malet, qeshën me të madhe kur panë gjirafat. “Doni të na sfidoni me këto kafshë të vogla?” – thoshin ata me tallje.

S’kishte si të ndodhte ndryshe. Ushtarët që qëndronin mbi gjirafa, i sulmuan ushtarët e mbretit, të cilët shiheshin në pasqyrat e gjigantëve, dhe i mposhtën ata. Mbreti nuk po e kuptonte se çfarë po ndodhte. Ai filloi të mendonte: “Si mund të shkatërrohet një ushtri kaq e fortë?” Ndërkohë që po mendonte kështu, në mendje i erdhi dijetari të cilin as e kishte marrë mundimin ta dëgjonte. “Sikur ta kisha dëgjuar! Po pse s’e dëgjova?..” tha me vete. Pastaj shtoi: “Ata që e shohin veten në pasqyrë, nuk bëjnë kujdes nga rivali dhe në këtë mënyrë s’bëjnë gjë tjetër, veçse gënjejnë veten. Si përfundim disfata ishte e pashmangshme.”

Mbreti po vraponte i penduar e i zhgënjyer, kur papritur në zemër iu ngul një shigjetë dhe ai u derdh përdhe. E kuptoi se ishte në çastet e fundit të jetës. E gjithë jeta i kaloi para syve si një shirit filmik. Në kohën kur po bënte llogaritë e së kaluarës, dikush e ktheu dhe e rrotulloi mbretin. Mbreti ngriti sytë. Kur ç’të shihte, dijetari të cilit nuk ia pati dëgjuar fjalën e shikonte me dhimbje.

Dijetari u përkul, mori diçka përtokë dhe iu afrua mbretit. Mbreti po e shikonte me sy të mjegullt. Një gjigant i madh shtrihej përtokë dhe një shigjetë po aq gjigante në zemrën e tij po e çonte atë në udhëtimin e përjetshëm. Ç’ishte ajo gjë që i qëndronte përballë në këto çaste të vdekjes? Ishte ajo… Pasqyra Gjigante që ai e bëri për të pushtuar botën. Duke parë i penduar në pasqyrë trupin e tij gjigant, i mbylli sytë dhe ra në gjumin e vdekjes.

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *