Press "Enter" to skip to content

Rinia dhe xhamia

Nga Prof. dr. Mehmet Gërmez

Allahu çdo njeriu i ka dhënë një afat të caktuar jete në këtë botë. Në gjuhën arabe fjala “jetë” dhe “ndërtim” vijnë prej së njëjtës rrënjë. Prandaj një jetë e cila nuk është e mbushur me ndërtim nuk konsiderohet jetë. Allahu e ka krijuar njeriun prej toke dhe i ka dhënë atij detyrën e ndërtimit në tokë. Në këtë proces ndërtimi, parësor është ndërtimi i zemrës dhe shpirtit, sepse njeriu pa ndërtuar shpirtin dhe zemrën nuk mund të ndërtojë qytete, fshatra, kulturë dhe qytetërim. Çdo njeri për të ndërtuar vetveten ka nevojë për besim dhe për një faltore.

Në Ditën e Gjykimit njeriu, pasi të pyetet se ku dhe si e ka kaluar jetën e tij, do të pyetet veçanërisht për periudhën e rinisë e cila në vetvete është pjesa më e rëndësishme e gjithë jetës së tij. ( Trimidhi, Sifatu’l Kijame,1.)

Pejgamberi (a.s.), të riun ideal e ka përkufizuar si personin i cili e kërkon lumturinë dhe gëzimin në ibadetin ndaj Allahut. Nga ana tjetër, ka lajmëruar se i riu që mbron nderin dhe zemrën e ka të lidhur me xhaminë në Ditën e Gjykimit do të jetë nën hijen e Allahut. (Buhari, Ezan, 36.)

Pejgamberi (a.s.), të riun në rrugë të drejtë dhe të vetëdijshëm për përgjegjësinë që mbart e ka konsideruar si një pengesë të fortë përballë dënimit hyjnor. Sipas Pejgamberit (a.s.), për ndërtimin e një shoqërie të shëndoshë është i një rëndësie jetësore kalimi i periudhës së rinisë në ibadet dhe larg ndalesave hyjnore. Në jetën e Profetit (a.s.), të rinjtë kanë pasur një vend të veçantë. Pejgamberi (a.s.), ndërtonte një komunikim shumë të sinqertë dhe të sigurt me të rinjtë dhe interesohej personalisht për edukimin dhe arsimimin e tyre. Të gjithë të rinjtë që kaluan përmes edukimit të Pejgamberit (a.s.), u bënë gjithsecili nga një pishtar i cili ndriçonte njerëzimin. Ishte ky besim që kishte Pejgamberi (a.s.), tek rinia që e shtyu atë t’u jepte atyre detyra të rëndësishme, duke filluar nga drejtimi tek komandant ushtrie, nga mësimdhënia në tregti. Sahabët e rinj, të edukuar nga Pejgamberi (a.s.), si Ebu Hurejre, Abdullah ibn Omer, Abdullah ibn Mesud, Abdullah ibn Abbas, Muadh ibn Xhebel, Enes ibn Malik etj., të cilët kanë kontribute të veçanta në ndërtimin e qytetërimit islam. Në qytetërimin islam janë dalluar shumë të rinj të cilët me diturinë, urtësinë, shkencën, poezinë, letërsinë, kulturën, artin, dashurinë i kanë dhënë tonin qytetërimit islam. Në qytetërimin islam të rinjtë gjithmonë janë konsideruar si personalitetet e së ardhmes.

Natyrisht që periudha e rinisë ka edhe vështirësitë e veta. Së pari periudha e rinisë është periudha ku forca, fuqia, entuziazmi dhe dëshira janë në kulmin e tyre. Të rinjtë janë të gatshëm të përqafojnë kultura të ndryshme, pa i situr vlerat e tyre dhe kanë aftësi t’u përshtaten menjëherë gjendjeve të reja. Kjo sjell tëhuajzimin e tyre me shoqërinë, përplasjen e brezave dhe krizë identiteti. Dhe si përfundim, një rini e shkëputur nga familja, nga vlerat fetaroshpirtërore, një rini e cila vrapon mbas përmbushjes së dëshirave momentale krejtësisht larg idealeve, normalisht që e ka shumë të vështirë për të përballuar dhe luftuar sëmundjet e kohës.

Rinia e sotme e konsideron botën e paraardhësve të ngushtë dhe të papranueshme. Prandaj është e rëndësishme që në komunikim me rininë të ndërtojmë një mënyrë të re. Rinia e sotme i jep rëndësi të madhe individualitetit, prandaj ne nuk duhet të ndërhyjmë në çështjet individuale të tyre, por duhet të krijojmë ura komunikimi me zemrën dhe botën e tyre të mendimeve, të bisedojmë dhe t’u paraqesim atyre një model përmes të cilit të zbulojnë veten e tyre. Është e vërtetë që të rriturit kanë probleme të theksuara në krijimin e një komunikimi normal me brezin e ri, por kjo vjen edhe nga fakti që ne jemi mësuar vetëm t’u flasim atyre, por në të vërtetë ne më tepër se t’u flasim duhet t’i dëgjojmë ata. Kjo është një domosdoshmëri për t’i kuptuar dhe hyrë në botën e zemrës së tyre.

Lutja jonë është rritja e një rinie e cila mbron vlerat shpirtërore dhe merr përsipër përgjegjësitë për të ardhmen!

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *