Press "Enter" to skip to content

Shiko kurthin dhe jo ushqimin

Nga Ali Riza Temel

Ashtu sikurse thotë edhe Mevlana, njeriun e rrethojnë mijëra kurthe. Ne jemi si zogjtë, të uritur dhe lakmues. Ambicia jonë për kallirin e grurit bëhet pengesë për të parë kurthin që ndodhet menjëherë para tij, që do të thotë se për atë kalli gruri flijojmë edhe veten tonë. Për të zënë miun, në kurth, vihet djath. Lakmia e miut për djath bën që ai të flijojë veten e vet. Ushqimi në majë të grepit është një kurth. Në vend që ta fitojmë bukën duke u munduar pak, sa e sa dëmtime pësojmë për shkak të përtacisë dhe ambicies që shfaqim duke u përpjekur të fitojmë pa mundime.

Edhe pema e ndaluar ishte një kurth, një provë. Aty nuk bëhej fjalë të qëndrohej i uritur dhe i etur. Mirëpo, Iblisi e zbukuroi kurthin: “Por djalli e cyti: ‘O Adem, a do të të tregoj pemën e përjetësisë dhe të një mbretërimi që nuk zhduket?’ Kështu, ata të dy, (Ademi dhe Havaja), hëngrën nga ajo pemë…” (Taha, 120 – 121.)

Rënia në kurthin e shejtanit i bëri ata të dilnin nga xheneti. Të gjitha përpjekjet dhe mundimet që bëhen për të hyrë në xhenet, janë fatura e një ambicieje të çastit. Shejtani vazhdon të ngrejë kurthe. Puna e tij është të mashtrojë, kurse e jona është të mos mashtrohemi. Ne, në një farë mënyre, jetojmë në një fushë të minuar që kanë krijuar nefsi dhe shejtani. Gjynahet janë si minat, që janë shtruar në rrugën për në xhenet. E rëndësishme është se përmes detektorëve Kuran dhe Sunet, vërehen këto mine edhe pa shkelur mbi to dhe në mënyrë të shëndetshme mbërrihet në bregun e shpëtimit. Shejtani i zbukuron gjynahet dhe përmes të gjitha mënyrave bindëse të propagandës, njerëzit i nxit për gjynah. Pasi ta ketë bërë gjynahun, veçohet në një qoshe dhe thotë: “Vërtet, Allahu ju bëri një premtim të vërtetë. Edhe unë ju premtova, por ju mashtrova. Unë nuk kam pasur kurrfarë pushteti mbi ju. Unë thjesht ju thirra e ju m’u përgjigjët. Prandaj, mos më qortoni mua, por qortoni veten! Unë nuk jam shpëtimtari juaj e as ju nuk jeni shpëtimtarët e mi…” (Ibrahim, 22.)

Shkaku kryesor pse njeriu bie në kurth është ambicia. Ambicia bën syrin të verbër. Dëshirës së tepruar i themi ambicie. Në jetë secili ka dëshirat e veta. Kjo gjë është më se e natyrshme. Shpresat dhe dëshirat e njeriut bëjnë që ai të qëndrojë në këmbë në jetë. Jeta, pasuria, interesimi për dituri, posti, karriera dhe dëshirat nxisin njeriun të punojë.  Lumturia dhe suksesi i njeriut janë të varura nga maturia dhe racionizimi i këtyre dëshirave. Ambiciet që kthehen në furtunë, zjarr e stuhi, bëjnë që të shkatërrohet edhe individi edhe shoqëritë.

Sa bukur që e ka thënë filozofi francez, Voltaire (Volteri): “Ambicia ngjan me erën që fryn velat e anijes. E tepërta të fundos anijen, e pakëta e mban atë në vendin e saj. Racionizimi i saj është i mirë.”

Ambiciet që dalin jashtë kontrollit të imanit dhe arsyes janë porsi uji që vërshon dhe thyen edhe argjinaturat. Nëse potencialin tonë nuk e shpenzojmë për dëshirat tona të këqija, por për të arritur synimet tona të mira, shpëtojmë nga kurthet dhe mbërrijmë tek lumturia e përjetshme.

Ata që harxhojnë jetën e tyre për kënaqësi të çastit të kësaj bote, në fund do të arrijnë në një pendim të thellë dhe do të përballen me një shkatërrim të dhimbshëm. Mevlana, njerëzit e tillë i përngjason me një gjahtar budalla, që nuk e sheh zogun në ajër, por vrapon pas hijes së tij në tokë. Ashtu sikurse kurthet, po ashtu edhe ushqimet që vendosen në kurthe janë të llojllojshme. Veçanërisht në ditët e sotme, këto kurthe dhe ushqime janë shumë tërheqëse dhe joshëse. Xheneti është i rrethuar me gjëra që nefsi nuk pëlqen, kurse xhehenemi me gjëra që nefsi pëlqen.

Ibn Mukaffa ka thënë: “Allahu i sprovon ibadetet e njeriut me mundime, kurse haramet me kënaqësinë ndaj tyre.”  

I ndjeri Gazaliu përngjason gjynahet me mjaltin e helmuar. Ata që lakmojnë mjaltin dhe nuk mendojnë për helmin që ka brenda, japin jetën e tyre vetëm për një të shijuar të çastit të mjaltit. Sa domethënëse është gjendja e mizave që japin jetën e tyre kur mbesin brenda në mjaltë apo pekmez dhe nuk arrijnë të dalin më prej aty.

Nëse arsyeja është para ambicies, atëherë nuk bihet në kurthe. Rruga më e sigurt është të shikosh fundin e punës, prapaskenën dhe të hedhësh hapat sipas saj, duke mos neglizhuar vëmendjen. Të flijosh lumturinë e vërtetë për një kënaqësi të çastit, nuk është punë e të zgjuarit. Ne vend të kënaqësive që nuk janë të qendrueshme, të jesh pas veprave dhe synimeve që janë të vazhdueshme, begatia e të cilave vazhdon deri në pafundësi, që nuk kthehen në dhimbje, bëjnë që jeta të bëhet më me vlerë dhe më me kuptim.

Mevlana ka thënë: “Dëshirat e këqija janë si qentë që flenë. Po u gjuajtën me ndonjë gur, hidhen menjëherë. Në këtë trup flejnë me qindra qen.” Nëse këta qen nuk lidhen me litarin e mendjes dhe imanit, nuk mund të zaptohen. Sulmojnë edhe të zotin, edhe të tjerët.

Lum për ata që kontrollojnë epshet dhe dëshirat e tyre të këqija; ata janë njerëz vërtet të lirë. Sa e trishtueshme është për ata që duken si pronarë, por që në fakt janë skllevër të dëshirave të tyre të përkohshme. Pikërisht ata janë skllevërit e vërtetë! Skllavi është i lidhur me zinxhirë, lufton për liri, përpiqet të shpëtojë sa më parë nga robëria e tij, por ata që janë skllevër të dëshirave të tyre, luftojnë që të vazhdojnë robërinë në atë mënyrë. Nuk e kuptojnë se janë të lidhur me zinxhirët e epshit të tyre.

Qenia e vetme para së cilës njeriu duhet të përulet, është Allahu. Ata që nuk bëhen rob të Krijuesit, bëhen skllevër të krijesave.

Sa bukur e ka thënë Mevlana: “U bëfsha shërbëtor i atij që nuk ia shet veten e vet askujt tjetër përveç Allahut, i Cili është i zoti i bujarisë.” T’u bëhesh shërbëtor njerëzve të tillë, do të thotë të bëhesh rob e shërbëtor i Allahut. “Në të vërtetë, Allahu ka blerë nga besimtarët jetën dhe pasurinë e tyre, në këmbim të Xhenetit…” (Teube, 111.)

Të gjitha tregëtitë që nuk të bëjnë myshteri të Allahut dhe çmimi i të cilave nuk është xheneti, janë të dëmshme. Ai që nuk fiton xhenetin, ka humbur gjithçka. Të fitosh pëlqimin e Allahut, padyshim që është më e vyer sesa të fitosh xhenetin, por sidoqoftë, edhe çmimi i këtij pëlqimi është xheneti. Ata që nuk mendojnë këtë fitesë përfundimtare, humbasin shpërblimet e qëndrueshme, duke u vënë syrin fitesave të përkohshme. Për fitesa të mëdha dhe të qëndrueshme, duhet të mbash qëndrim ndaj joshjes së harameve dhe të tregohet durim dhe maturi. Nëse tregon dobësi, sikurse miu që lakmon djathin apo zogu që i ka vënë syrin grurit, mbetesh pa djathë, pa grurë, pa jetë e pa xhenet. Fundin e sa e sa lakmitarëve po e vërejmë në këtë botë!

Kemi qenë dëshmitarë të fundeve të dhimshme të atyre që tentojnë të merren me ryshfete, të atyre që boshatisin bankat, të atyre që shesin fisnikërinë dhe nderin e tyre në këmbim të një gruaje apo një posti.

Rrethi i atyre që janë hallall është aq i gjerë, sa të përballojë lehtësisht nevojat dhe dëshirat e njeriut. Të ndaluarave u referohet vetëm në raste të domosdoshme dhe ajo gjë nuk e tejkalon masën e domosdoshmërisë.

Barku i njeriut ngopet, por syri kurrë. I skamuri do shumë gjëra, por lakmitari do gjithçka. Skllavi i bëhet shërbëtor zotërisë së vet, kurse lakmitari bëhet skllav i gjithçkaje që kërkon të ketë. Besimtari është robi dhe shërbëtori vetëm i Allahut. Nuk është e lejuar rukuja dhe sexhdeja drejt askujt tjetër përveç Allahut.

Muhamed Ikbali ka thënë: “Nëse sexhdeja që bën në namaz nuk të detyron të heqësh dorë së bëri sexhde të tjerëve, atëherë hiq dorë nga ajo sexhde.”

Hz. Pejgamberit (s.a.s.), i ofruan para, grua dhe pushtet që të hiqte dorë nga davaja e tij. Këto ishin vetëm kurthe. Mirëpo, Pejgamberi ynë i dashur (s.a.s.), i cili nuk kishte synim tjetër përveç kënaqësisë së Zotit, i refuzoi ato menjëherë. Sikur t’i kishte pranuar këto oferta, do të fshihej nga historia si një njeri i thjeshtë, as që do të bëhej mbreti i zemrave të njerëzve e as do të arrinte në makam-i mahmud.

Për të mos rënë në kurthe, duhet të kesh mend, zgjuarsi dhe një besim të fortë. Ata që nuk kanë syrin e zemrës të drejtuar nga e amëshueshmja, jetojnë të drejtuar nga kënaqësitë dhe interesat e përkohshme dhe për të pasur këto, mund të lënë mënjanë të gjitha vlerat njerëzore dhe morale. E shesin ahiretin, për të pasur dynjanë. Ata që i janë përkushtuar amëshimit, nuk bëhen robër të së përkohshmes, por i vihen pas të përhershmes.

Lutemi që Allahu i Madhëruar të na largojë nga kurthet që na rrethojnë, pasi pa qenë mbrojtja e Tij nuk mund të sigurohemi nga kurthet. As Profeti Jusuf madje, nuk ka qenë i sigurt nga nefsi dhe i ka kërkuar mbrojtje Zotit. “Nëse Ti nuk e largon prej meje dredhinë e tyre, unë do të prirem drejt atyre dhe do të bëhem nga ata që nuk (i) dinë (ligjet e Tua).” (Jusuf, 33.)

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *