Press "Enter" to skip to content

Të falësh është bukur

Nga Sulejman Ragip Jazëxhilar

Sot ishte shumë ftohtë. Ka rënë shi gjatë gjithë ditës. Është janar, jemi në mes të dimrit. Ah, sa shpejt kaluan ditët e nxehta të verës. Inshallah Zoti na e bën të mundur që të takohemi përsëri me verën.

Sot kam jetuar disa gjëra që nuk do t’i harroj kurrë. Në mëngjes, teksa po shkoja në shkollë, u grinda me vëllain e vogël. Patëm një diskutim shumë të madh. Ai donte të pinte qumështin tim, që e kisha përgatitur për ta marrë me vete në shkollë. Unë e ndalova dhe ai m’u vërsul me furi. Gjatë përpjekjeve për të marrë qumështin, unë u përplasa me kokë tek tavolina. Nuk e teproj nëse them që kam qarë me orë të tëra.

Goditja kishte qenë aq e fortë sa nuk e mora dot veten për shumë minuta. Nuk shkova dot as në shkollë. Vëllai im u pendua shumë, por unë nuk e fala. E kalova ditën në shtrat duke rënkuar. Nuk doja ta shikoja vëllain me sy, sepse më kishte lënduar shumë.

Në mbrëmje dhimbja e kokës m’u qetësua pak. Vëllai i vogël donte të vinte pranë meje. Sa e pashë që po hapte derën, i bërtita me zë të lartë: “Dil jashtë, nuk dua të të shikoj me sy!” Ai doli nga dhoma me kokën ulur.

Unë isha shumë e lënduar. Koka më ishte fryrë. I thashë vetes që nuk do ta falja kurrë vëllain tim. Në ato çaste në dhomë erdhi gjyshi. Më fërkoi kokën dhe më puthi në faqe. Ai më tha që e kishte mësuar ngjarjen dhe që ishte mërzitur shumë. Më pas shtoi: “Çfarë do që të ndodh, ju jeni motër e vëlla, prandaj duhet t’ia falësh këtë gabim.”

Kur unë i tregova që kisha vendosur për të mos e falur kurrë vëllain tim të vogël, ai filloi të më jepte këshilla. Më tregoi se sa gjest i bukur është falja. Ai m’i rreshtoi njëri pas tjetrit të gjitha veset e këqija si: urrejtjen, zilinë… Ai më tha që secili nga ne bën shumë gabime, por e rëndësishme është që të falim njëri- tjetrin. Nuk do ta harroj kurrë fjalinë e fundit që tha: “Aishja ime e dashur, mos harro që Allahu i do ato që falin.”

Fjalët e gjyshit patën shumë ndikim tek unë. Ai kishte krejtësisht të drejtë. Vëllai im kishte bërë një gabim dhe unë duhej ta falja sepse ai ishte penduar tashmë. Vazhdova të meditoja në lidhje me këtë gjë. Në fakt më vinte keq t’i shihja njerëzit e mërzitur sepse kur dikush është i mërzitur, atij i shtrëngohet zemra. Teksa unë po mendoja këto gjëra, në dhomë hyri vëllai im i vogël.

“Motër e dashur të lutem më fal”- më tha. Në ato çaste zemra ime u zbut. M’u kujtua këshilla e gjyshit që Allahu i do njerëzit që falin. E fala vëllain tim dhe ne u përqafuam me dashuri. Ai më kërkoi ndjesë disa herë. Unë e fala dhe nuk e kritikova më. I thashë që të gjithë ne bëjmë gabime. Ai u gëzua shumë. Falja ime na kishte qetësuar që të dyve. Sa bukur qenka të falësh.

Po e mbyll ditën e sotme me këtë Dua: “O Allah na i zbut zemrat tona! Na e bëj të mundur që t’i falim njerëzit që na lëndojnë sepse Ti i do falësit! Na i fal gabimet tona, o Allah! Ti je Zoti ynë dhe ne të duam shumë!”

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *