Press "Enter" to skip to content

Të mos jesh i verbër e shurdh ndaj ajeteve të Allahut

Nga Dr. Adem Ergyl

Qëndrimet e njerëzve kundrejt ftesës dhe mesazheve të Allahut kanë qenë të ndryshme gjatë gjithë historisë. Zoti ynë, i Cili është Rahman dhe Rahim, i fton robërit e Tij vazhdimisht drejt “Daru’s-Selamit / vendit të paqes dhe lumturisë”, si në këtë botë, ashtu edhe në botën tjetër. Megjithatë, njeriu që ka idhujtarizuar dëshirën e egos së vet, shpeshherë është treguar indiferent, pasiv, e madje në disa raste, ka reaguar ashpër ndaj kësaj ftese. Në këtë shkrim, do ta trajtojmë këtë temë në kuadër të ajeteve të Kuranit Fisnik dhe do të përpiqemi të shpjegojmë se cili duhet të jetë qëndrimi i një besimtari. Me qëllim që në vendin ku qëndrojmë të mos rreshtohen herë mohuesi, e herë hipokritët, si besimtarë që jemi, duhet t’i kujtojmë edhe njëherë këto paralajmërime hyjnore. Në këtë mënyrë, zemrat besimtare patjetër që do të motivohen drejt një vetllogarie serioze.

Për shkak të frikës se do t’u prishë rehatinë dhe kënaqësinë e kësaj bote, shumë njerëz zgjedhin të jenë të shurdhër kundrejt ajeteve hyjnore. Ky qëndrim, është qëndrimi i mohuesve. Kjo sjellje e tyre tregohet kështu në Kuran prej gjuhës së Nuhut (a.s.):

“Sa herë që i thirrja për t’i falur Ti, ata vendosnin gishtat në veshë dhe mbuloheshin me petkat e tyre, duke këmbëngulur me mendjemadhësi (në mosbesim).” (Nuh, 7)

I njëjtë ishte edhe qëndrimi i idhujtarëve të Mekës në lidhje me Kuranin. Ata thoshin:

“…Mos e dëgjoni këtë Kuran! Flisni e qeshni me zë të lartë, që të ndërpritni leximin e tij!” (Fussilet, 26)

Kur atyre u lexoheshin ajetet e Allahut si paralajmërim, ata thoshin, “Koha për këtë është tani!?”, “Çfarë themi ne, çfarë thua ti!?”. Madje, duke shtrembëruar fytyrën bënin shenja me njëri-tjetrin me sy e me vetulla në formë talljeje ndaj atij që i paralajmëronte. Ndërsa disa të tjerë, i dëgjojnë ajetet e Allahut, por nuk veprojnë ashtu siç kërkohet. Ata që bëjnë pjesë në këtë kategori janë të shumtë. Allahu i Madhëruar, si shembull tipik të kësaj kategorie, na jep një grup prej hebrenjve:

“Kur morëm besën tuaj dhe ngritëm mbi ju malin e Turit, thamë: «Merreni seriozisht atë që ju kemi dhënë dhe dëgjoni!» Ju thatë: «Ne dëgjuam, por nuk bindemi!»…” (Bekare, 93)

Komentuesit e Kuranit, lidhur me këtë ajet kanë thënë: “Mbase ata nuk kanë thënë «dëgjuam, por nuk bindemi!» përballë profetëve të tyre. Mirëpo, pasi kanë thënë «dëgjuam», ata nuk kanë vepruar në bazë të atij mesazhi që u ka ardhur dhe me anë të veprave dhe sjelljeve të tyre, kanë treguar «mosbindje». Zoti ynë i Madhëruar, dëshiron që besimtarët të mos jenë të tillë dhe i paralajmëron kështu ata:

“O besimtarë! Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe mos ia ktheni shpinën, ndërkohë që e dëgjoni (të vërtetën)! Mos u bëni si ata që thonë “Dëgjojmë”, por nuk ia vënë veshin. Krijesat më të këqija para Allahut janë ato që janë shurdhe dhe memece (ndaj së vërtetës) e që nuk hanë arsye.” (Enfal, 20-22)

Mënyra e sjelljes, që kur thuhet se i ke dëgjuar ajetet e Allahut por nuk e vepron atë që kërkohet, është cilësuar si një sjellje që nuk mund të përputhet me besimin. Këtu, në të shumtën e rasteve bëhet fjalë për dobësinë e mos zgjedhjes së anës së Allahut kundrejt dëshirave të egos. Një mënyrë e tillë besimi, është si të ecësh buzë një gremine të rrezikshme. Zoti ynë i Madhëruar, pret një qëndrim më të qartë prej besimtarëve. Në Kuranin Fisnik urdhërohet:

“Ndërsa përgjigjja e vetme e besimtarëve, kur thirren tek Allahu dhe i Dërguari i Tij, që ai të gjykojë midis tyre, është: «Dëgjojmë dhe bindemi». Pikërisht këta janë të shpëtuarit.” (Nur, 51)

Një grup tjetër i njerëzve, i dëgjon ajetet e Allahut, i kupton ato që thuhen, por për shkak se nuk përkojnë me interesat e tyre, i interpretojnë ato sipas dëshirës së tyre. Pra, në vend që ta rregullojnë veten sipas ajeteve, ata i shtrembërojnë dhe i interpretojnë ajetet sipas llogarisë së egos së tyre. Në lidhje me këtë grup, Allahu i madhëruar na jep shembull dijetarët hebrenj:

“Vërtet shpresoni ju (besimtarë) se ata (hebrenjtë) do t’ju besonin ju, ndërkohë që disa prej tyre i dëgjonin fjalët e Allahut dhe, pasi i kuptonin, me vetëdije i shtrembëronin ato?!” (Bekare, 75)

Megjithëse thonë se janë besimtarë, këta njerëz, që janë bërë adhurues të egos së tyre, arrijnë të mbajnë një qëndrim të tillë ndaj ajeteve të Allahut. Ata shkojnë pas mendjes së tyre, ose më mirë të themi pas dëshirave të egos së tyre dhe dëshirojnë të jetojnë një besim duke “shtrembëruar Librin” e Allahut. Njerëz të tillë, me kalimin e kohës fillojnë t’i besojnë edhe vetë gënjeshtrat e veta dhe madje, fillojnë ta mbrojnë fort besimin e tyre. Njerëz të tillë që, për hir të disa interesave të thjeshta e të përkohshme të kësaj bote, e kthejnë në Xhehenem jetën e përjetshme, kanë ekzistuar vazhdimisht midis besimtarëve.

Ka edhe një grup tjetër, të cilët megjithëse i shohin dhe i dëgjojnë mesazhet hyjnore, luajnë rolin e të shurdhrit dhe të verbrit. Ky tip njeriu tregohet qartë në këto ajete:

“Ka prej atyre që të dëgjojnë. Por, a mund të bësh ti që të dëgjojnë të shurdhrit, të cilët s’kanë as mend?” (Junus, 42)

“Sigurisht që ti (Muhamed), nuk mund t’i bësh të vdekurit të dëgjojnë, as nuk mund t’i bësh të shurdhrit të dëgjojnë thirrjen tënde, kur të kthejnë shpinën! Ti nuk mundesh t’i nxjerrësh as të verbrit nga humbja e tyre! Ty të dëgjojnë vetëm ata që besojnë Shpalljet Tona dhe na nënshtrohen Ne (si myslimanë).” (Neml, 80-81)

Natyrisht që verbëria dhe shurdhëria në këtë rast, nuk është një verbëri apo një shurdhëri fizike, por verbëri dhe shurdhëri e zemrës. Ky fakt përmendet kështu në Kuranin Fisnik:

“Vallë, a nuk kanë udhëtuar ata nëpër botë, që zemrat e tyre të mendojnë dhe veshët të dëgjojnë? Në të vërtetë, atyre nuk u janë verbuar sytë (në këto gjëra), por u janë verbuar zemrat e veta në kraharor.” (Haxhxh, 46)

Zoti ynë i Madhëruar, na bën të ditur se robërit e mirë të Tij nuk do të jenë kurrë të tillë:

“Ata, që kur paralajmërohen nga shpalljet e Zotit të tyre, nuk bëhen as të shurdhër, as të verbër” (Furkan, 73)

Ja pra, këtu është e gjithë çështja: të mos bëhesh i verbër dhe i shurdhër kundrejt ajeteve hyjnore, sepse të besosh, do të thotë t’u vësh veshin mesazheve hyjnore dhe të bindesh me dorëzim të plotë për t’i vënë ato në jetë:

“Shpalljet Tona i besojnë vetëm ata të cilët, kur u përmenden, bien në sexhde, dhe të cilët e madhërojnë Zotin e tyre, e lavdërojnë dhe nuk bëhen mendjemëdhenj.” (Sexhde, 15)

Pas gjithë këtyre përkujtimeve të Zotit tonë, sot të gjithë siç jemi si Umeti islam le ta lexojmë edhe njëherë me një zemër, sy dhe vesh besimtar këtë urdhër madhështor të Tij:

“O besimtarë! … Ndihmojeni njëri-tjetrin në punë të mira dhe në të ruajturit nga të këqijat dhe jo në gjynahe dhe armiqësi! Frikësojuni Allahut, sepse Ai dënon ashpër!” (Maide, 2)

Vazhdimisht themi dhe pretendojmë se jemi individë, xhemat, fis ose popull mysliman. Por a është rreshti i besimtarëve ky? Apo mos ndoshta është rreshti i mohuesve, idhujtarëve dhe ithtarëve të librit të cilët kanë devijua(a.s.)? A po prodhon mirësi dhe devotshmëri ndihmesa ndaj njëri-tjetrit apo gjynahe dhe armiqësi?

Shkurtimisht, a po i shërbejnë përpjekjet, mundi dhe sakrificat tona ndërtimit dhe zhvillimit të botës, apo po bëhen shkak i shkatërrimit dhe prishjes së saj? Nëse në ndërgjegjen tonë gjendet ende dritë prej besimit, të gjithë duhet të dëgjojnë zërin e së vërtetës prej zemrës së vet. Sigurisht, nëse muret e paragjykimit nuk e kanë çaktivizuar ende busullën e shpirtit.

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *